Të enjten, Gjykata Themelore e Gjilanit ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve, Rrahmon Rexhepi.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Behar Ymeri, me të cilin, të akuzuarit Rexhepi i ka shqiptuar 100 ditë burigm me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se në periudhën kohore prej një viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër apo të ngjashme penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shefik Memeti, i akuzuari Rexhepi ka deklaruar se e ndjen veten fajtor dhe se është penduar për veprën penale të cilën e ka kryer, por që, të njejtën e ka kryer nga vështirësia.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, i pandehuri Rrahmon Rexhepit akuzohet se nga 20 marsi 2020, në kohë të pavërtetuar, në fshatin Zhegër, në vazhdimësi dhe në mënyrë të paautorizuar ka shfrytëzuar energji elektrike, në atë mënyrë që derisa i pandehuri për shkak të mos pagesës së borxhit është shkëputur nga rrjeti elektrik, e me rastin e kontrollimit punëtorët e autorizuar të KEDS-it kanë konstatuar se i pandehuri Rrahmon Rexhepi si shfrytëzues i energjisë elektrike, me qëllim që vetes t’i sjell pasuri të kundërligjshme, ka bërë vjedhjen e energjisë elektrike, ashtu që ka bërë lidhje direkte në rrjetin elektrik, dhe në këtë mënyrë ka bërë harxhimin e paautorizuar të energjisë elektrike, me çka ka pamundësuar regjistrimin e shpenzuar të energisë elektrike duke e dëmtuar të dëmtuarën KEDS – distrikti në Gjilan, në vlerë prej 187 euro e 47 cent.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.