Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se Kurti dhe të tjerët e kanë për qëllim përdhosjen e gjithçka çka e përfaqëson shtetin e Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Deliu deklaroi se edhe mungesa e flamurit amerikan në tavolinën e takimit mes ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësndihmësi sekretarit të shtetit amerikan, Mathew Palmer dhe ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është aksidentale.

“Kurti dhe të tjerët e kanë dëshmuar vetëm një qëllim, të përdhosjes së gjithçka çka përfaqëson shtetin e Kosovës, duke sulmuar gjithë mbrojtësit e tij. As mungesa e flamurit amerikan në takimin e Gërvallës me Palmerin nuk ishte aksidentale , sikurse nuk është as përçmimi i Walkerit. Dje nga rruga, nga opoizita e sot nga pushteti Kurti dhe të tjerët nuk lanë pa lëvizur gurë të themelit të shtetësisë së Kosovës për ta dorëzuar të shembur në tavolinën e Lajcakut”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së, tha se Kurti në tavolinën e dialogut me Serbinë do të tregojë se si Kosova është shtet kriminal i rezultuar nga një organizatë kriminale.

“Kosova e Kurtit do të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë me letrën e dëshmisë së tyre përmbi si një shtet kriminal i rezultuar nga një organizatë kriminale. Mohimi i shtetësisë, ushtrisë nuk kanë qenë e as nuk do të jenë ndonjëherë argument kundër Serbisë. Të gjitha ata që e kanë jetuar realitetin, sot mashtrimet e Kurtit nuk janë risi”, ka thënë ajo.