Ditë më parë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku konfirmoi një takim me degën e kësaj partie në Podujevë, ku dukej se në parim u dakordua për kandidaturën e Ekrem Hysenit për kryetar të Podujevës në zgjedhjet lokale të vjeshtës që po vie.

Megjithatë, ka qenë vetë Hyseni, që në një prononcim për GazetaBlic, mohoi kandidaturën zyrtare, ani pse shtoi se gjatë javës së ardhshme mund të ketë zhvillime më konkrete.

“Jo, jo, nuk ka asgjë të vërtetë. Ajo fotografi që ka qarkulluar muajin e kaluar në media ka qenë në një iftar. S’ka asgjë zyrtare. Dega po punon maksimalisht në këtë drejtim, por që deri tani s’ka diçka që mund të thuhet me siguri”, tha fillimisht Hyseni.

Por, përkundër kësaj, ai beson se LDK-ja gëzon të gjitha predispozitat e nevojshme që ta rikthejë komunën e Podujevës.

“Elektori i Lidhjes Demokratike në Podujevë është një elektorat i rëndësishëm i partisë, prej më të mirave. Këtë e ka treguar me kohën. Ne besojmë që me punë, do t’ia dalim qëllimit, pavarësisht emrit të kandidatit”, shtoi tutje ai për GazetaBlic.

Ndërkaq, fare në fund, deklaroi se Agim Veliu gëzon ndikim të madh se pritet të luajë rol në garën e sivjetshme.

“Është një person i cili është për një kohë të gjatë aty, kontributi e ndikimi i tij është i madh”, përfundoi Hyseni.Kujtojmë se partia më e vjetër në Kosovë humbi zgjedhjet në komunë në vitin 2020, pas dorëheqjes së Agim Veliut, i cili në fillim të vitit të kalular, mori drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ta çuar komunën në zgjedhje, zgjedhje këto që shpallën fitues kandidatin e VV-së, dikur ish-anëtarin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi.