Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi ka thënë se nga muaji janar e deri në qershor të këtij viti, në Kosovë kanë ndodhur 42 aksidente me fatalitet. Ai tha se krahasuar me vitin 2019, janë 11 aksidente më shumë, shkruan Gazeta Express.

Rexhepi dha detaje edhe për shifrat e të vdekurve në aksidentet me fatalitet.

Sipas tij vetëm në periudhën janar-qershor 2021, 50 persona e kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

“Nga data 1 janar deri në datën 7 qershor të këtij muaji në krahasim me 2019, nëse flasim për aksidente fatale në vitin 2019 kanë qenë 31, teksa në këtë pjesë të vitit janë 42 që nënkupton që i kemi 11 aksidente më shumë. Për sa i përket personave të vdekur, 37 kanë qenë në vitin 2019, teksa 50 janë në vitin 2021. Aksidente me lëndime janë 2925 raste apo 852 raste më shumë se në 2019. Persona të lënduar në 2019 kanë qenë 3892, ndërsa në 2021 kanë qenë 5761 persona të lënduar”, ka thënë ai.

Poashtu, drejtori i Divizionit të Komunikacionit në polici, deklaroi se më së shumë aksidente me fatalitet kanë ndodhur në rrugë nacionale.

“Sa i përket llojeve apo rrugëve, se ku kanë ndodhur më shumë aksidentet, 13 raste apo 35.1% kanë ndodhur në rrugë nacionale, apo magjistrale. Tetë aksidente fatale kanë qenë në rrugë rajonale, shtatë raste kanë qenë në rrugë të qytetit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, si pasojë e një aksidenti në fundjavë u shua një familje nga Shtimja.