Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka realizuar premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, që gratë të kenë hapësirë më të madhe në udhëheqje të institucioneve komunale, shkruan Llapi.info.

Në kabinetin qeverisës janë emëruar katër gra. Nënkryetare e Komunës është emëruar Marigona Lahu, Egzona Mustafa në krye të drejtorisë së Shëndetësisë, Elhame Kutllovci në krye të drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Bahrie Shatrolli në krye të drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi.

Kështu ka bërë të ditur në Facebook Fatri Zhitia nga kabineti i Kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Kryetari Bulliqi ishte zotuar në fushatën zgjedhore që gratë do ta kenë hapësiren e nevojshme për të dëshmuar vetën me dijen dhe përgatitjen e tyre në vendimarrje. Nga qeverisja e kaluar që ishte vetëm një drejtore e një drejtorie, tash nën qeverisjen e Lëvizjes në Podujevë, nënkryetarja është grua dhe tri gra janë drejtore të drejtorive. Me vajzat dhe gratë e Llapit që kanë rol kyç në qeverisjen tonë do ta bëjmë Podujevën shembull të drejtësisë dhe barazisë në nivelin lokal. Synimi ynë është që gratë të kenë mundësinë dhe hapësiren e barabartë me burrat në shoqëri, vetëm në këtë formë shkojmë drejt barazisë gjinore e shoqërore. Zotim i përmbushur”, ka shkruar ai.

Ndryshe, kryetar i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi më 12 dhjetor të vitit të kaluar pati prezantuar drejtorët e rinj komunalë, pas betimit të dhënë si kryetar i kësaj komune./Llapi.info