Në një ceremoni solemne të organizuar në Komunën e Kastelit, sot Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i Komunës së Kestelit, Onder Tanir, kanë nënshkruar marrëveshje për inicimin e bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës dhe Komunës së Kestelit, transmeton Llapi.info.

Me nënshkrimin e këtij inicimi janë vendosur themelet e para të bashkëpunimit në mes të Komunës së Podujevës dhe Komunës së Kestelit. Me këtë rast, kryetari Bulliqi tha se këtë inicim së shpejti do të paraqesë para këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Podujevës.

“Zotimet tona të shprehura sot përmes këtij dokumenti të inicimit të këtij bashkëpunimi, shumë shpejt do t’i paraqes në Kuvendin e Komunës së Podujevës me bindje të plotë për sukses që do t’i hap rrugë binjakzimit të dy komunave tona”, tha Bulliqi.

Po ashtu, në fjalën e tij, pas ceremonisë së nënshkrimit, Bulliqi tha se me kryetarin Tanir, u zotuam se do të angazhohemi aktivisht që të zbatojmë afrimin e komunave në sektorë të ndryshëm me theks të veçantë në fushën e bujqësisë dhe në fushën e arsimit.

Ndërsa me qytetarët e Kastelit, kryetari Bulliqi tha se ndajmë vlera të përbashkëta. “Me qytetarët e Komunës së Kestelit kemi shumë të përbashkëta në doke, zakone e tradita, andaj kemi nevojë të përafrohemi e të thellojmë miqësinë tonë në interes të brezave të ri”, shtoi Bulliqi.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Konsulli i Nderit në Bursa, Fahretin Guenler, Kordinatori i Qendrës Kulturore të Kosovës, Rexhep Gundur, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, këshilltarë të kuvendit komunal në Kestel dhe mysafirë të tjerë.

Kujtojmë, Komuna e Podujevës është binjakëzuar vite më parë edhe me Komunën e Velbertit të Gjermanisë./Llapi.info