Pas shkarkimit me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, Bordi i RTK-së, tashmë ka dalur me një reagim, duke e cilësuar këtë veprim, politik dhe antiligjor.

Sipas tyre, ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave.

”Veprimi i sotëm i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës për shkarkimin e Bordit të RTK-së është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.

Ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave.

Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave.

Bordi i RTK-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar.

Bordi i RTK-së i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave që të reagojnë ndaj këtij vendimi politik dhe arbirtrar të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës”.