Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se interpelanca për shtesat ka një keqinterpretim të qëllimshëm për vendimin e qeverisë, pasi sipas tij, janë vetë fjalimet e opozitës ato që tregojnë fuqishëm se masat e vendosura nga Qeveria Kurti 1 kanë qenë të duhura.

Bislimi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar deputetët e opozitës duke thënë se nuk po i vendosin vetës “kurth” sa i përket komenteve për përfitimet shtesë të disa kategorive.

“Ajo që iu përvidhet folësve është mungesa komplete e konsistencës dhe kurthi i pamenduar që i vendosin vetes. Sa për rikujtim, të gjitha këto përfitime shtesë janë aprovuar nga Qeveria Kurti 1 në fund të marsit 2020, si pjesë e masave të pakos emergjente fiskale. Atë kohë Qeveria Kurti 1 kishte argumentuar nevojën e implementimit të këtyre masave, si urë-kaluese drejt pakos të rimëkëmbjes ekonomike, e cila do të fillonte pas përfundimit të pandemisë. Meqë masat kufizuese të vendosura nga institucionet kompetente të shëndetësisë parashikonin atëherë tejkalim të vështirësive deri në muajin qershor, ishte e logjikshme që për këto masa të parashihej afati kohor tre mujor”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, opozita kishte hartuar vetë pako alternative të rimëkëmbjes ekonomike, e që nuk ishin përfshirë këto kategori.

“Të gjithë këta që sot po kërkojnë me ngulm rikthimin e këtyre masave, edhe me më shumë ngulm kishin kundërshtuar të njëjtat në prill 2020. Madje duke pamundësuar trajtimin e tyre në seancë, duke pamundësuar votimin në Kuvend për ndarje të nevojshme buxhetore dhe duke akuzuar qeverinë që me kryerjen e këtyre pagesave po thyente ligjin dhe kushtetutën dhe po shkatërronte ekonominë e vendit, dhe më akuzonin mua si ministër i Financave me padi pse kisha autorizuar këto pagesa”, ka thënë ai.

Bislimi po ashtu ka komentuar edhe kritikat e opozitës për programin qeverisës.

“Si ka mundësi që kritika kryesore e dy ditëve të mëhershme ndaj programit qeveritar të jetë pamundësia që i njëjti të realizohet për shkak të kufizimeve buxhetore. Ju rikujtoj cilësimin e programit qeverisës si listë dëshirash dhe vajin për pamundësinë e financimit të shtesave për fëmijët dhe çerdheve të fëmijëve, të cilat bashkërisht kushtojnë rreth 80 milionë euro. Ndërsa, në të njëjtën kohë vijnë me sugjerime që qeveria të rritë shpenzimet për 90 milionë euro për pensione. Po del se mesazhi i djeshëm paska qenë i tipit ‘Ju nuk keni mjete buxhetore për të realizuar prioritetet që keni listuar dhe premtuar. Andaj gjeni mjetet financiare për idetë dhe propozimet e opozitës’”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin për interpelancën e ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbi shtesat për pensionistët, stafin shëndetësor dhe institucionet e sigurisë.