Presidenti Biden është i vendosur të propozojë një buxhet që arrin në 6 trilionë dollarë në ditët në vijim, njoftoi New York Times, rreth një e treta më e lartë krahasuar me nivelet e shpenzimeve para-pandemike.

Propozimi do të përmbajë investime të mëdha në infrastrukturë, arsim dhe kujdesin shëndetësor dhe do të çojë nivelet e shpenzimeve federale në nivelin e tyre më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas planit, qeveria federale do të shpenzojë 6 trilionë dollarë në vitin fiskal 2022 dhe shpenzimet do të rriteshin në 8.2 trilionë dollarë deri në vitin 2031. Ky plan vë në dukje faktin se Biden tregon pak interes për uljen e deficitit, i cili do të mbetej në mbi 1 trilion dollarë gjatë dekadës tjetër.

Në vend që të gjente një rrugë drejt një borxhi të qëndrueshëm, plani do të rrisë barrën e borxhit të vendit në 117 për qind të produktit të brendshëm bruto deri në fund të dekadës, duke tejkaluar rekordin e saj të Luftës së Dytë Botërore në 2024.

Propozimin i buxhetit, të cilin Shtëpia e Bardhë pritet të prezantojë zyrtarisht ditën e sotme, do t’i çojë shpenzimet në një të katërtën e prodhimit vjetor të vendit, niveli më i lartë krahasuar me çdo nivel para pandemisë.

“Pandemia vetëm i ka përkeqësuar gjërat. Njëzetë milionë amerikanë të klasës punëtore dhe të mesme humbën punën e tyre në Amerikën pandemike”, tha Biden gjatë një fjalimi në Kongres në fillim të këtij viti.

“Në të njëjtën kohë, rreth 650 miliarderë në Amerikë panë që vlera e tyre neto u rrit me më shumë se 1 trilion dollarë, në të njëjtën periudhë. Më lejoni ta them përsëri. 650 njerëz e rritën pasurinë e tyre me më shumë se 1 trilion dollarë gjatë kësaj pandemie dhe tani ata vlejnë më shumë se 4 trilionë dollarë. Tani është koha për ta ndryshuar këtë situatë dhe për ta rritur ekonominë”, tha ai.

Plani përfshin investime të fuqishme për të rindërtuar infrastrukturën e plakur, për të forcuar teknologjitë miqësore me klimën si automjetet elektrike dhe për të zgjeruar në mënyrë dramatike rrjetin e sigurimeve shoqërore.

Por ai nuk përfshin propozime të tjera të mëdha që Biden i ka mbështetur, të tilla si një rregullimi i sistemit të siguracioneve të papunësisë, etj. Sipas Times, Biden do të propozojë gjithashtu rritjen e shpenzimeve në drejtim të sektorit të mbrojtjes.