Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi sot se dialogu Kosovë-Serbi është gjëja më e rëndësishme, sepse sipas saj “garanton sigurinë e serbëve në Kosovë, por gjithashtu se është një parakusht për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.”

Ajo deklaroi në TV Pink se, për fat të keq, siç tha ajo ”është e pamundur të flasësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sepse gjatë bisedës duket se ai nuk e sheh qëllimin e këtij dialogu”.

“Është një situatë e vështirë për të gjithë rajonin dhe ne e kemi parë atë në shembullin që nuk kemi pasur gati një vit ndonjë marrëveshje të re në rajon”, shtoi ajo, transmeton Klankosova.tv.

Bërnabiq thekson se Beogradi këmbëngul në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, si dhe se çështja themelore për vazhdimin e dialogut është formimi i Asociacionit të komunave serbe.

Siç thotë ajo, Beogradi është i gatshëm të diskutojë çështje të tjera gjithashtu – personat e zhdukur, çështjet e energjisë, kthimi, problemet, një numër në rritje të incidenteve kundër serbëve.

“Por çështja e parë dhe themelore është Asociacioni i komunave serbe, sepse nëse nuk doni të formoni Asociacionin, ikni nga zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, e cila është marrëveshja e parë për normalizimin. Si prisni të diskutojmë një marrëveshje tjetër”, transmeton Klankosova.tv.