Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

Por, ende qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë pa viza për në vendet evropiane.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigje për Klankosova.tv se vendimi për liberalizimin e vizave duhet të jepet në mënyrë unanime nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Tani u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të japin miratimin e tyre unanim për lëvizjen e lirë pa viza”.

Stano thotë se dialogu Kosovë-Serbi dhe procesi i liberalizimit të vizave nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, janë procese të ndara dhe nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”.

Ai theksoi se nuk ka ndonjë afat kohor se kur mund të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, por Bashkimi Evropian beson se nuk ka kohë për të humbur.

“Është në dorën e dy palëve Kosovës dhe Serbisë që të përcaktojnë ritmin e dialogut. Bashkimi Evropian beson se nuk ka kohë për të humbur”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian tha se qëllimi i këtij dialogu është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi përfundimtar i dialogut është që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Peter Stano ndër të tjera theksoi se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet po ashtu edhe nga progresi që palët bëjnë mes tyre në normalizimin e marrëdhënieve.

“Rruga evropiane e Kosovës, ashtu sikur rruga evropiane e Serbisë, varet gjithashtu nga progresi në normalizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve”