Për shumë vjet, rruga rreth 4 kilometra në fshatin Metergoc të Komunës së Podujevës ka mbetur e paasfaltuar, ani pse banorët e kësaj ane kanë kërkuar një gjë të tillë nga autoritetet komunale, njofton Llapi.info.

Premtime që do t’i kryejnë punimet e kësaj rruge në këtë fshat kanë marrë banorët herë pas herë, por ndonëse janë bërë këto premtime, punën as që e kanë nisur. Ata thonë se Komuna s’ka ndërmarrë asgjë në këtë drejtim që 20 vite. Edhe në debate publike me qytetarët, të thirrur nga organet komunale, asfaltimi i kësaj rruge është kërkuar disa herë.

Por, këta banorë më i kanë “humbur” shpresat në Komunën e Podujevës. Të njëjtit sërish kanë nisur meremetim e rrugës kryesore të këtij fshati me mjetet e tyre. Në pamjet që i kanë dërguar në adresë të Llapi.info, shihen punimet që banorët i kanë nisur sot.

Ndërkohë, nëpër seanca dhe debate me qytetarë, zyrtarë komunalë vazhdimisht kanë përmendur këtë rrugë, por punimet s’i kanë nisur asnjëherë, përkundër që vit pas viti është premtuar.

Se që kanë probleme fermerët e kësaj ane si pasojë e mos rregullimit të rrugës e ka thënë edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha në debate publike me qytetarë./Llapi.info

Më poshtë pamjet e dërguara: