Granit Xhaka ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm në fitoren e Arsenalit 3-1 ndaj Chelseat.

Mesfushori nga Kosova realizoi nga gjuajtja e lirë një gol i cili erdhi vetëm pas disa ditëve kur Xhaka ishte vërshuar nga kritikat.

Xhaka u ndëshkua me karton të kuq ndaj Burnleyt dhe tifozët, drejtuesit e ish-futbollistët e Topçinjve e kryqëzuan atë me thumbime.

E pas triumfit ndaj Chelseat, për lojtarin ka folur edhe trajneri i Arsenalit, spanjolli Mikel Arteta.

Ai ka thënë se Xhaka gaboi disa ditë më parë, por askush nuk mund ta vë në dyshim karakterin dhe cilësitë e tij.

“Disa ditë më parë Xhaka gaboi siç gabojmë të gjithë ne, por askush nuk mund të vërë në dyshim cilësitë, angazhimin, karakterin dhe dëshirën e tij për të luftuar për këtë klub”.

“Ndaj Chelseat ndjej se ai i dëshmoi sërish këto cilësi”, deklaroi trajneri i Arsenalit.