Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të dyshuar për veprën penale “prezantim i rrejshëm”, raporton Gazeta Sinjali.

Ai dyshohet se është prezantuar rrejshëm si polic te ish-kandidatja për deputete, Adriana Hoxhiq.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar vetë Hoxhiq, e cila tha se personi në fjalë i kishte kërkuar asaj 30 mijë euro për mbylljen e një rasti, në të cilin ai kishte pretenduar se është përfshirë ajo.

“Është i arrestuar sot një person, i cili se më ka kontaktuar mua dhe është prezantuar si polic hetues. Unë rastin menjëherë ia kam prezantuar policisë, kështu që në bashkëpunim me policinë ky person është arrestu dhe hetimet ndaj tij po vazhdojnë. Ky person është munduar që të më shantazhojë. Ai ka qenë i bindur që unë jam e njollosur dhe më ka kërkuar 30 mijë euro që ta mbyll një rast, por unë duke e ditur se jam e pastër si loti, menjëherë e kam raportuar rastin te policia”, tha ajo për Sinjalin.

Me arrestimin e të dyshuarit, Hoxhiq thotë se i është rikthyer besimi te sistemi i drejtësisë në Kosovë.

“Të ju them të drejtën, nga ky moment, ndihem shumë mirë dhe ngadalë po më rikthehet besimi te sistemi i drejtësisë në Kosovë. Kështu që i përgëzojë policinë për punën e tyre, sepse shumë shpejt ata e kanë arrestuar atë person dhe kemi bashkëpunuar shumë ngushtë këto disa ditë. Më pak se një javë ditë është dashtë që ky proces të mbyllet”, tha ajo.

Hoxhiq tha se për herë të parë ky person e ka kontaktuar përmes telefonit të dielën e kaluar dhe ka insistuar që të takohet me të jashtë zyrës së saj, gjoja me qëllimin që t’i ndihmonte asaj për një keqpërdorim të cilin pretendonte se e ka kryer ajo.

“Ky person për herë të parë më ka komunikuar me telefon të dielën e kaluar dhe është prezantuar si pjesëtar i policisë dhe ka kërkuar një takim. Unë e kam ftuar që të vjen ai në zyrën time, në komunën e Mitrovicës, menjëherë të nesërmen, të hënën, sepse të dielën më ka thirrë ai mua. Ai ka insistu që të takohemi jashtë zyrës time, por të takohemi diku në një vend publik, sepse siç thojke ai, është më mirë për mu. Ai dojke të më ndihmonte dhe të mshefte një keqpërdorim që kishe unë e kam bërë. Nuk janë në pyetje projekte, por shërbime komunale”, tha ajo.

Sipas saj, ky rast është një mesazh që koha e shantazheve dhe mashtrimeve në Kosovë është duke marrë fund.

“Policia ka qenë në nivel. Unë e kam pasë problem që ta paraqes këtë rast menjëherë, sepse kam dyshuar, nuk e di pse, por kam dyshuar, por ka dalë mirë që menjëherë e kam raportuar dhe në bashkëpunim me policinë ky person tani është i arrestuar dhe besoj se nuk do t’i ndodhë një gjë e tillë askujt në Kosovë. Le të jetë ky një mesazh që koha e shantazhave dhe mashtrimeve në Kosovë po përfundon dhe unë gjithmonë do ta japë bashkëpunimin tim për drejtësi”, përfundoi ajo.