Lokale - eSIMy

Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në magjistralen Podujevë – Prishtinë, përkatësisht në fshatin Lupç, raporton Llapi.info.

Në këtë aksident janë përfshirë dy automjete, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar gjashtë persona. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.

“Rreth orës 14:00, Policia ka pranuar një informacion lidhur me shkaktimin e një aksidenti me lëndime dhe dëme materiale në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë, konkretisht në fshatin Lupç. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë njësia policore, si dhe është njoftuar emergjenca e cila po ashtu ka mbërri në lokacion. Sipas informacioneve fillestare, 2 automjete janë përfshirë në këtë aksident dhe raportohet për 6 persona kanë marrë lëndime trupore. Njësitë kompetente të trafikut rajonal janë duke kryer procedurat hetimore dhe po kryejnë vend-shikimin. Njëri shirit i rrugës është mbyllur deri në kryerjen e procedurave të nevojshme dhe matjeve nga trafiku rajonal i Prishtinës, për kompletim të mëtejmë të rastit”, ka thënë ai.

Sipas statistikave ditore të Policisë së Kosovës, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 41 aksidente trafiku, prej tyre 13 kanë rezultuar me persona të lënduar./Llapi.info