Ekipi nga Podujeva është duke vazhduar me përforcime të reja, gjersa sot ka prezantuar edhe dy lojtarë, shkruan Llapi.info.

Adem Maliqi dhe Dardan Jashari janë rikthyer në Podujevë, ndërkohë që të  dytë kanë nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin llapjan.

“Adem Maliqi është përforcimi i radhës që i bashkohet Llapit për stinorin e ri dhe do të jetë forcë shtesë për skuadrën për ndeshjet evropiane. 23 vjeçari rikthehet në vendlindje duke nënshkruar kontratë 1 vjeçare me Llapin. Adem Maliqi, 23 vjeç, i lindur më 17.06.1997 në Batllavë të Podujevës. Sulmues i krahut të majtë dhe krahut të djathtë. Vie nga Feronikeli, me të cilët arriti t’i realizoj 4 gola. Më parë ishte pjesë e 2 Korrikut, Ferizajt dhe Flamurtarit. Me rikthimin e Maliqit në vendlindje si dhe vazhdimin e kontratave me futbollistët që kishin barrën kryesore në edicionin që lamë pas, skuadra po kompletohet dhe është e gatshme për garat evropiane”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Dardan Jashari është rikthyer edhe një herë tjetër tek Llapi. Pas rikthimit në Superligë në edicionin 2015/16, Jashari tashmë rikthehet në objektiva tjera dhe me qëllim që ta ndihmoj skuadrën në garat evropiane. Kontrata e nënshkruar me Dardan Jasharin është 1 vjeçare. Dardan Jashari, i lindur më 28.03.1990. Pjesë e Flamurtarit, Ballkanit, Malishevës e së fundmi Ferizajt. Me Llapin kishte zhvilluar 5 edicione, përfshirë një edicion në Ligën e Parë dhe katër të tjera në Superligë. Në Superligë, me fanellën e Llapit, në katër edicione, Jashari ka 120 paraqitje, 7 gola, 2 asistime, e 10.773′ minuta të luajtura”, thuhet tutje.

Skuadra nga Podujeva ka nisur mjaft “furishëm” afatin kalimtar të verës, duke prezantuar disa lojtarë në radhët e veta./Llapi.info