Lokale - eSIMy

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk mjafton pezullimi i marrëveshjes për tiketa ngjitëse në automjete, deri në marrjen e një vendimi tjetër përfundimtar për këtë çështje. Ai tha se kjo taksë duhet të anulohet. Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, kërkoi dorëheqjen e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton Gazeta Express.

Tahiri tha në Kuvendin e Kosovës se e kanë zënë Qeverinë duke i vjedhur qytetarët dhe se e kanë parandaluar që t’ua marrë atyre paratë nga xhepi.

“Ne nuk pajtohemi vetëm me pezullimin e kësaj takse. Mendoj që kjo taksë duhet të anulohet dhe mënyra e krejt procesi i nënshkrimit të kësaj takse ka qenë i jashtëligjshëm. Prandaj, siç thotë populli, ne ia kemi nxënë Qeverisë dorën në xhepin e qytetarit, por shyqyr Zotit që s’i kemi lënë me ua marrë paret. Pra, ju kemi ndalë. Prandaj, nuk është e mjaftueshme pezullimi i saj”, tha Tahiri.

Pas tij, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se do të ishte e udhës që ministri Aliu të shkonte në Prokurori sot dhe të jepte dorëheqje.

“Më korrekt, më morale do të ishte sot dorëheqja për të treguar se ne nuk qëndrojmë prapa këtij skandali”, tha Zemaj.

“Ne kërkojmë përgjegjësi publike, morale”, shtoi ai.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka marrë vendim që ta pezullojë marrëveshjen për tiketa ngjitëse në automjete, deri në marrjen e një vendimi tjetër përfundimtar për këtë çështje.

Ai ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.