Lokale - eSIMy

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se dega e kësaj partie në Llap do të garoj me Ekrem Hysenin në zgjedhjet lokale, raporton Llapi.info.

Në një adresim për medie, Abdixhiku është shprehur i bindur se LDK –së do t’i rikthehet bastioni i dikurshëm, Podujeva, ndërkohë që ka shtuar se ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu, sipas tij, nuk ka shprehur ambicie të kandidoj.

 “Me vendim të kryesisë kandidati i ri i LDK-së është Ekrem Hyseni dhe kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e garës së ardhshme tek Ekrem Hyseni. Vendime të njëjta do të jenë për secilën komunë. S’ka të bëjë me individ ka të bëjë me procesin.  Veliu nuk ka shprehur ambicie për të qenë kandidat për kryetar të komunës, kemi zgjedhur Hysenin që do ta rikthejë Podujevën sa më parë”, është shprehur ai.

Përveç Hysenit, garën për të parin e Podujevës e kanë zyrtarizuar edhe AAK me Besnik Tahirin, Nisma me Xhemail Hasanin, ndërkohë që kandidaturat zyrtare s’i kanë bërë PDK dhe LVV./Llapi.info