Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas shkarkimit të Vadete Dakës nga kryesuesja e KQZZ-së.

AAK konsideron se shkarkimi Dakës, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit.

“Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më parë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, arsyetimet e dhëna për shkarkimin e Dakës janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes.


“Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë. I bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave”, thuhet tutje.

AAK thekson se Kosova është Republikë Parlamentare me demokraci të konsoliduar dhe si e tillë funksionon dhe është pranuar nga shumë shtete dhe se këto praktika jodemokratike duhet të marrin fund.