Gjashtë persona janë arrestuar, 82 kilogramë lëndë narkotike janë konfiskuar gjatë një operacioni policor i cili ka ndodhur në rajonin e Prishtinës dhe atë të Gjilanit.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale, blerje, posedim dhe shitje e lëndëve narkotike, mbajtje të paautorizuar të armëve, prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme farmaceutike dhe pa banderolë si dhe shmangie nga tatimi doganor apo tarifave akcizore.

Përveç arrestimit policia ka njoftuar se me urdhër të prokurorit kompetent, është bërë edhe kontrollimi i katër lokacioneve, prej tyre dy banesa të banimit, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Fushë Kosovë, si dhe dy shtëpi në Gjilan së bashku me një objekt përcjellës, të cilat dyshohet se grupi në fjalë i kanë përdorur për fshehje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për kontrabandë të barnave me origjinë të dyshimtë.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar 82 kilogramë e 914 gram drogë të llojit marihuanë, 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve, 1 pushkë gjuetie me 35 predha (fishekë) si dhe dy qese najloni të mbushura me barot dhe sfera për municion të armës së gjuetisë.

Gjatë bastisjes janë konfiskuar edhe një kallashnikov me një karikator, një revole me një karikator dhe gjashtë predha, një palë dylbi të armës së gjatë dhe 174 fishekë, pesë vetura, 15 mijë e 774 mijë euro, 20 franga zvicerane, si dhe barna të llojeve të ndryshme.

Të dyshuarit pas arrestimit janë intervistuar ndërsa me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.