Sot janë bërë 22 vjet nga beteja e lavdishme e Llapashticës, betejë në të cilën ranë heroikisht 10 dëshmorë të Llapit, njofton Llapi.info.

Llapashtica ishte kthyer në një kala të pathyeshme, teksa ishte 24 dhjetori i vitit 1998 kur filluan betejat e pareshtura në Zonën Operative të Llapit.

Beteja e Tabeve te Llapashticës ishte njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së. Në këtë vend, forcat e UÇK-së i kishin dhënë goditje të fuqishme forcave serbe, duke iu shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë. UÇK në këtë betejë tregoi se ishte e organizuar, përkundër që ishte në numër më të vogël kundrejt një makinerie të sofistikuar.

Në njërën nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tabet e Llapshticës po mbrohej populli shqiptar në luftën për çlirimin e Kosovës.

Forcat pushtuese serbe, të pajisura me gjithë arsenalin ushtarak ia patën mësyrë atë ditë Llapashticës me qëllimin e vetëm për të asgjësuar komandën e UÇK-së së ZOLL-it, por nuk ia arritën dot këtij qëllimi, pasi para se të arrinin në këtë fshat u ndeshën në Tabe me forcat e UÇK-së, me ç’ rast ishte zhvilluar një betejë e ashpër. Ai vend i njohur ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së, ku prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe që mësynin pozicionet e UÇK-së.

Gjatë Betejës së Llapashticës, më 24 dhjetor 1998, nga radhët e UÇK-së ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit: Isa Havolli, Ismet Dërguti, Skender Zenjullahu, Miftar Zenjullahu, Lulzim Jashari, Bajram Murati, Avni Selmani, Fatmir Selmani, Remzi Demolli dhe Jetullah Kastrati.

Për të shënuar këtë ditë, do të mbahen homazhe dhe do të bëhet zbulimi i emblemës së UÇK-së në fshatin Konushec, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së./Llapi.info

No photo description available.