Ministri i Mbrojtjes Anton Quni priti sot në takim ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Melisa Haradinaj, të cilën e njoftoi me zhvillimet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe me objektivat për të ardhmen.

Ministri Quni tha se objektiv shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe për dy ministritë është edhe angazhimi dhe aktivitetet për integrim në NATO, për çka kërkohet bashkëpunim dhe koordinim për një qasje më efektive.

Gjatë takimit u bisedua edhe për angazhimin e FSK-së në misione paqësore jashtë vendit, ku kërkohet bashkëpunimi dhe koordinimi edhe me Ministrinë e Jashtme, që kushtëzohet përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh me shtetet përkatëse.

Me këtë rast u theksua se ka hapësirë për punë të përbashkëta për të shprehur interesimin për të qenë jo vetëm prezent, por edhe për anëtarësim në organizatat dhe nismat regjionale të sigurisë.

Çështje me rëndësi gjatë takimit të sotëm ishte edhe diskutimi rreth harmonizimit të statusit të atasheve ushtarakë të FSK-së në ambasadat e Kosovës.

Ministrja Haradinaj-Stublla, u shpreh se prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme është integrimi në NATO, dhe për këtë ajo kërkoi koordinim të veprimeve me qëllim të rritjes së përfaqësimit të vendit në NATO, në nivel të ambasadorëve.

“Për çështjet e shtruara, ne jemi të hapur për çdo bashkëpunim dhe sidomos për angazhimin e FSK-së, në misione paqësore jashtë vendit për çka kërkohet një punë e vazhdueshme koordinuese”, u shpreh ajo.