Të enjten u konfirmuan edhe gjashtë raste të reja me virusin korona në Podujevë, duke çuar kështu në total numrin e rasteve aktive në këtë rajon në 75, raporton Llapi.info.
Tri nga këto raste ishin nga qyteti, kurse me nga një rast nga fshatrat; Dumnicë, Kërpimeh dhe Peran. Gjashtë prej tyre janë me burim të ri të infeksionit.
Ndërkaq, kjo komunë është në pritje të rezultateve edhe të rreth 30 qytetarëve, të cilët janë testuar më 21, 22 dhe 23 korrik. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama. Kjo e fundit ka thënë se deri më tani në këtë komunë tetë pacientë kanë ndërruar jetë, të cilët përveç se kanë qenë të infektuar me koronavirus, kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Rama ka shprehur shqetësim për moszbatimin e masave parandaluese nga qytetarët.
“Jemi në pritje të rezultateve të mostrave që janë testuar më 21, 22 dhe 23 korrik, ku bëhet fjalë edhe për rreth 30 qytetarë. Zyrtarisht jemi të njoftuar për tetë raste të vdekjeve deri më tani në këtë komunë. Numri i rasteve pritet të rritet për arsye se qytetarët nuk janë duke i zbatuar aq sa duhet masat, përkundër që njëherë filluan mirë, mirëpo këto 3-4 ditë prapë ka filluar mosrespektimi i rekomandimeve për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19”, ka thënë Rama.
Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës ka qenë më 15 mars. Që nga atëherë, numri i të prekurve në Podujevë ka arritur mbi 150.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, që nga mesi i muajit mars – ka arritur në 6.467. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.804./Llapi.info
