Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve. Këto raste bëhen edhe më të tmerrshme kur viktima janë vajzat e mitura, nën moshën 18-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar dje në Malishevë, ku një vajzë e mitur ka deklaruar se është dhunuar nga një person që dyshohet se është po ashtu i mitur, ndërsa më pas video-incizimet e aktit janë shpërndarë në rrjete sociale.
Ngjarja ka ndodhur para rreth pesë muajsh në rrugën “Ibrahim Mazreku”, ndërsa rasti është paraqitur më 05 dhjetor 2025.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, viktima R.H., rreth 16-vjeçare, në prani të Punëtorit Social të QPS-së, ka deklaruar se kishte qenë në lidhje me të dyshuarin, të cilin e njeh vetëm me emër dhe nuk është e sigurt për identitetin e plotë të tij.
Vajza e mitur ka treguar se gjatë kohës sa kishte pasur kontakt me të, i dyshuari kishte kryer marrëdhënie me të dhe kishte realizuar video-incizime të aktit. Para disa ditësh, këto incizime dyshohet se janë shpërndarë në rrjetet sociale nga i njëjti.
Prokurori kujdestar për të mitur është njoftuar menjëherë dhe ka urdhëruar të iniciohet rasti “Dhunim”. Ndërkohë, Njësia e Hetimeve Rajonale është angazhuar në identifikimin e personit të dyshuar dhe në mbledhjen e provave lidhur me videot dhe gjithë rrethanat e ngjarjes.
Hetimet po vazhdojnë.
