Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka shkruar për 30 vjetorin e themelimit të partisë së tij, ndërsa thotë se qytetarët me 6 tetor i dhanë besimin Lëvizjës Vetëvendosje dhe LDK’së.

Gecaj ka shkruar se ndryshimet asnjëherë nuk vijnë nëse nuk ndërtohet një mirëbesim me njëri-tjetrin duke iu referuar dy partive fituese të zgjedhjeve.

“Pasi që ‘nevojiten dy veta për një tango’, t’i bashkojmë forcat e të ‘vallëzojmë’ drejt një epoke krejtësisht të re në jetët dhe në skenën tonë politike. Sistemi ynë republikan-parlamentar, i një demokracie konsensuale (të ujdisë së drejtë), njeh vetëm një tip zgjedhjesh të nivelit të përgjithshëm, nga i cili burojnë të gjitha institucionet relevante qendrore:.

Shkrimi i plotë i Gecajt:

1 … 2 … 3 … DEKADA … të ‘vallëzojmë’ drejt epokës së re!

Slogane të përafërta me porosi për ndryshime kishim dëgjuar nga pothuaj të gjitha partitë politike që garuan në zgjedhjet e fundit, por është tanimë e qartë si kristali se populli më së shumti u besoi dy partive: Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), deri tani të paprovuar në nivelin qendror të qeverisjes; dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila përgjatë 30 viteve të fundit ishte shtylla kryesore e të gjitha proceseve pozitive – ishte balancuese dhe civilizuese. Dhe ky besim, aq shumë i baraspeshuar elektoral, do të duhej patjetër të shndërrohej në një udhërrëfyes për ndërtimin e një qeverisjeje, ngjashëm të baraspeshuar, drejt ndryshimeve të premtuara nga të dyja anët e medaljes. Vetëm ashtu do të mund të arsyetonim besimin e dhënë për të rikthyer shpresën në vendin tonë dhe në institucionet e ndërtuara me aq mund, djersë e gjak. Ndryshimet nuk do të vijnë asnjëherë nëse paraprakisht nuk arrijmë të ndërtojmë mirëbesimin në njëri-tjetrin, por as nëse në qeverisje hyjmë të pabarabartë, përkundër barabarësisë aq të mprehtë që na u dhurua nga vota popullore. Pasi që ‘nevojiten dy veta për një tango’, t’i bashkojmë forcat e të ‘vallëzojmë’ drejt një epoke krejtësisht të re në jetët dhe në skenën tonë politike. Sistemi ynë republikan-parlamentar, i një demokracie konsensuale (të ujdisë së drejtë), njeh vetëm një tip zgjedhjesh të nivelit të përgjithshëm, nga i cili burojnë të gjitha institucionet relevante qendrore. Ne zgjedhim 120 deputetët, të cilët, rrjedhimisht, zgjedhin (emërojnë) presidentin, krye-parlamentarin, kryeministrin, e kështu më radhë. LDK është testuar në vazhdimësi se nuk qëndron asnjëherë as kokëfortë e as e ngurtë kur është në pyetje interesi kombëtar e shtetëror – interes i tillë në këtë kohë mjaft të ndjeshme besojmë fuqishëm të jetë balancimi dhe kundërpeshimi real i pushtetit si dhe eliminimi i plotë i çfarëdo politike apo logjike dominuese, e që rrjedhimisht do të rrezikonin si shkronjën ashtu dhe frymën e Kushtetutës sonë. Sot, në 30-vjetorin tonë jubilar, LDK zotohet të jetë e gatshme, e përgatitur dhe e dedikuar si kurdoherë të sfidohet për një ndryshim përmbajtjesor e kualitativ – Urime Ditëlindja LDK!