Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin se nuk ka vend për t’i mohuar apo për t’i relativizuar ngjarjet në Reçak të vitit 1999, dhe se mohimi dhe revizionizmi shkojnë kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe kundër projektit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për t’i komentuar deklaratat fyese që ka dhënë presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut, zëdhënësja e BE-së për Zgjerim ka shkruar:
“U takon gjykatave të gjykojnë nëse deklaratat e caktuara paraqesin vepra penale. Dënimet duhet të jenë proporcionale dhe të marrin parasysh të gjitha elementet e rastit. Autoritetet duhet të punojnë në mënyrë të sinqertë në vlerësimin e së kaluarës në shenjë respekti për viktimat. Një gjë është e qartë, nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak në Kosovë, në janar të vitit 1999. Mohimi apo revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, thuhet në përgjigjen që kjo zëdhënëse u ka dërguar mediave.
E kjo deklaratë e BE-së nuk u ka pëlqyer zyrtarëve shtetërorë serbë. Ministri serb i Mbrojtjes, Alleksandar Vullin, siç raportojnë mediat në Serbi, i ka bërë thirrje BE-së që të përmbahet nga, siç tha ai, “deklaratat nxitëse e ndezëse” rreth çështjes së masakrës së Reçakut.
“Si një organizatë që nuk është kompetente për të dhënë gjykime juridike dhe konkluzione historike, BE-ja do të ndihmonte shumë pajtimin dhe paqen në rajon nëse autoritetet dhe zyrtarët e saj do të përmbaheshin nga shpërndarja në publik e pikëpamjeve që mund të jenë nxitëse”, tha Vullini pas reagimit të BE-së në lidhje me mohimin e masakrës së Reçakut nga ana e zyrtarëve shtetërorë serbë, transmeton Koha.net.
Ai thotë se “autoritetet e BE-së do të duhej të punonin në atë që e kaluara të vlerësohet në mënyrë të drejtë dhe të tillë çfarë është, duke respektuar viktimat”.
Tutje, Vullini tha se, me dialogun e zhvilluar me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, “shiptarët” (Vullini përdor termin e këtillë me vështrimin përbuzës në vend allbanac në gjuhën e tyre – v.j) janë larguar nga pavarësia.
“Shiptarët e dinë se dialogu me Vuçiqin i ka larguar ata nga pavarësia aq sa i kishte afruar dialogu me Jeremiqin. Për atë, kërkesa e tyre e vetme është që serbët t’i prezantojë dikush që nuk do të përfaqësojë Serbinë, por veten e tij/saj”, tha ai, pas deklaratës së Albin Kurtit se nuk e do Vuçiqin në tavolinën e negociatave.
Ai tha se “askujt s’i intereson se çfarë dëshirojnë shiptarët”, ndërsa shtoi se “shiptarët s’kanë besë, por a ka BE-ja?”.
“Vuçiqi është i vetmi që mund të flasë jo vetëm në emër të Serbisë, por në emër të të gjithë serbëve dhe këtë e di edhe Kurti, për atë ik nga ai. Nuk është me rëndësi çfarë duan shiptarët, askujt s’i intereson kjo, por na intereson se a do ta mbajë Bashkimi Evropian fjalën e tij dhe të zbatojë sa më parë marrëveshjen e Brukselit për çka ka garantuar, e më pas të heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë qendrore e të BeH-së. Shiptarët nuk kanë besë, por a ka BE-ja”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Alleksandar Vullin.