Kandidatja për kryeministre të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk i mbetet asnjë alternativë tjetër veç lidhjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo gjithashtu ka thënë për këtë koalicion se ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes, atë të qytetarëve të Kosovës.
Osmani ka premtuar se do të punojë dhe do t’i shërbëjë vendit të saj, pavarësisht se ku është.
Ajo, gjithashtu ka shkruar edhe për karierën e gjatë si anëtare e LDK-së dhe institucionet e tjera të Kosovës.
“Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen”, tha Osmani në profilin e saj në Facebook.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen. I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.
Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.
Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.
Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!
E juaja,
Vjosa