Pavarësisht përmbushjes së kritereve të vëna për liberalizim vizash, qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme duan ta shkojnë në vendet e zonës shengen, paraprakisht duhet të pajisen me viza.
Mungesa e vizave probleme po u shkakton edhe të rinjve që synojnë të studiojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.
Duke u ankuar për izolimin, ata kërkojnë që liberalizimi të ndodhë sa më shpejt edhe për kosovarët.
Me gjithë premtimet dhe përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, kosovarët vazhdojnë të mbeten populli më i izoluar në Evropë.
Për një vizë, e cila në fund iu refuzua, priti rreth tre muaj i riu Durim Xhemajli. Ai tregon për Radio Kosovën se çka e shtyu të aplikojë për vizë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.
“Qëllimi ka qenë të shkoj në Kalulbern për ta përfunduar një kurs fillimisht, që ka qenë në një kohëzgjatje prej një viti. Pastaj t’i vazhdoj studimet në Universitetin e Ausburgut, ku e kam gjet edhe drejtimin që dua, për shkencat penale në juridik. Ta marrë një nivel pak më të lartë akademik-master, dhe të kthehem në Kosovë e të gjej vetën pak më mirë në profesionin tim”, tha ai.
Durimi thotë se refuzimi i vizës ia pamundësoi vazhdimin e rrugës që synim kishte fillimin e studimeve master në Universitetin e Ausburgut.
Ashtu si Durimi e shumë të rinj të tjerë kosovarë, viktimë e regjimit të vizave është edhe Avdyl Gashi.
Ai thotë se refuzimi i vizës ia pamundësoi ndjekjen e modulit të fundit të trajnimit “Akademia politike’, organizuar nga Fondacioni “Friedrich-Ebert-Stiftung”.
“Gjatë pesë moduleve që janë realizuar në Kosovë, kemi mësuar në teori se çka është demokracia sociale. Ndërsa në modulin e gjashtë kemi pasur të bëjmë vizitë studimore, për të parë në praktikë se si implementohen parimet e demokracisë sociale në Gjermani”, tha ai.
Përveç për refuzimin e vizës, Gashi i pakënaqur është edhe me sjelljen e punonjësve të ambasadës.
“Është një sjellje totalisht denigruese ndaj neve si qytetarë. Personat që sillen keq ndaj neve nuk janë gjermanë, por janë kosovarë që punojnë aty. Gjithsesi ambasada është për t’u fajësuar, pasi që është trupi që mbikëqyrë këta punëtorë dhe duhet t’i mbajë llogaridhënës ata në qasjen e tyre”, tha ai.
Në lidhje me ankesën e Gashit dhe qytetarëve të tjerë, Radio Kosova ka kërkuar përgjigje edhe nga Ambasada Gjermane në Prishtinë, por, përgjigja ka munguar.
Ankesa për refuzim vizash dhe sjellje jo të mirë, kosovarët e izoluar kane edhe për ambasadat e tjera.
Të rinjtë, Avdyl Gashi e Durim Xhemajli, që ankohen edhe në institucionet vendore që vazhdimisht premtuan liberalizimin, kërkojnë që kjo të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të rinjtë të dalin nga izolimi.