Kreu i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur rreth vonimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.
Veseli ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se shtyrja e heqjes së vizave për kosovarët deri më 2020 – afat i përmendur sot në Prishtinë nga komisionari i BE’së, Johannes Hahn – është “lajm dëshpërues për Bashkimin Evropian”.
“Kjo për vetë faktin se BE’ja i ka vënë disa standarde, përmes së cilave e ka vlerësuar çdo vend… Ne më shumë se çdo vend tjetër në rajon kemi plotësuar kushte”, ka theksuar Veseli.
Sipas tij, BE’ja s’po i qëndron pas fjalëve të saj, dhe s’po i respekton parimet e veta.
“Kemi arritur të shkojmë edhe më tutje me reformat në sistemin e drejtësisë”, është shprehur ai në T7.
Veseli ka thënë se problemi qëndron te BE’ja, e assesi te Kosova. Sipas tij, Kosova qëndron shumë para disa vendeve të Ballkanit.