Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinin, me të cilën ka diskutuar për rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave.
Sipas një njoftimi për media nga Kuvendi, Veseli sot në Bruksel është pritur në një takim nga Mogherini me të cilën ka biseduar edhe për zbatimin e MSA-së.
“Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave dhe tani pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe votimit në Parlamentin Evropian, pret vendimmarrje pozitive brenda këtij viti nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së. Ai vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në BE është objektiv nacional i Kosovës dhe përbën konsensusin politik të të gjithë spektrit politik në Kosovë. Kryeparlamentari Veseli falënderoi znj. Mogherini për përkrahjen e vazhdueshme që ajo i ka dhënë perspektivës evropiane të Kosovës, zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Veseli konfirmoi qëndrimin institucional të Kosovës për të zgjidhur me dialog çështjet e hapura me të gjithë fqinjët e saj, në mënyrë të veçantë me Serbinë, ndërsa shfaqi bindjen se dialogu midis dy shteteve do të përmbyllet me njohjen reciproke të tyre.
Nga ana tjetër, Mogherini theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën evropiane, forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe për të lehtësuar dialogun me fqinjët.