Ditën e tetë të fushatës zgjedhore Partia Demokratike e Kosovës e ka nisur në qytetin e Gjakovës.

Nga këtu kandidati për kryeministër, Kadri Veseli i ka çuar ‘selam’ kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa se edhe ai duhet të gëzohet kur SHBA-ja dërgon përfaqësuesit e saj në Kosovë, pasi sipas tij kjo është pasuri për vetë shtetin.

Lideri i PDK-së, edhe në Gjakovë ka theksuar se koalicioni i mundshëm Mustafa-Kurti është koalicion i izolimit dhe korrupsionit.

“Isa Mustafa paska deklaruar shqetësimin se unë qenkam shumë pro-amerikan. Ne duhet të gjithë të gëzohemi të kënaqemi të jemi të lumtur kur SHBA-ja është në Kosovë. Ne duhet të jemi të lumtur kur presidenti dërgon bashkëpunëtorët e tij në Kosovë. Kjo është pasuri për Kosovën…Koalicioni i Mustafës dhe Kurtit është koalicioni i izolimit dhe korrupsionit. Nuk i bën mirë Kosovës”, tha ai.

Duke kërkuar votën e qytetarëve të Gjakovës, kryetari i PDK-së Kadri Veseli shpalosi disa nga pikat e programit të tij qeverisës, teksa tha se vetëm me të në krye të ekzekutivit Kosova do të ketë të ardhme të mirë.

“E ardhmja e zhvillimit e perspektivës për të rinjtë për ndërmarrësit për fermerët për profesorët. E ardhmja e Kosovës, e cila do të vendoset në Gjakovë edhe në gjithë territorin e Kosovës, e ky është numri 112, Partia Demokratike e Kosovës, tha Veseli, raporton KP.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, njëherësh kandidat për deputet, Hajdar Beqa duke kërkuar votën e qytetarëve të Gjakovës, tha se lista e tyre për deputet është lista më e mirë e çdo partie politike në Kosovë.

Beqa thuri lavde edhe për kandidatin për kryeministër Kadri Veselin duke e quajtur si njeriun e duhur në kohën e duhur.

Ai premtoi se do të bëhet rinovimi i dy stadiumeve në qytet dhe se Gjakova do të lidhet me auto-udhë me Prizrenin e Pejën.

“Dega jonë e PDK-së kësaj radhe e ka një listë të kompletuar. I kemi njerëzit e duhur në kohën e duhur për t’i ndihmuar zotëri Veseli për Kosovën…Lista e PDK-së është lista më e mirë që e ka çdo parti e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kandidatë për deputetë nga radha e PDK-së në Gjakove janë Hajdar Beqa, Butrint Batalli, Gentiana Beqa-Ahmeti dhe Hisen Berisha.