Zëvendësministrja në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, përmes një postimi të bërë në Facebook ka thënë se qeveria në detyrë e Kosovës, në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej rreth 1.26 miliardë euro, të cilën e ka prezantuar Ministri i Financave dhe Transfereve, z.Besnik Bislimi, ka planifikuar që të marrë përsipër mbulimin e kostos së polisave kufitare apo siç njihen si “Karton i Gjelbërt”, për automjetet që hyjnë në Kosovë për vitin 2020.

“Shumë shpesh është premtuar zgjidhja për “Kartonin e Gjelbërt”, por asnjëherë nuk kemi parë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi që prek më së shumti #diasporën tonë. Jam e lumtur që për herë të parë, në vetëm disa javë përgatitje, si qeveri e Kosovës kemi vepruar në këtë drejtim.

Po ashtu, në kuadër të pakos është planifikuar që në 24 muajt në vijim, të emetohen letra me vlerë në masën e 30 milionë eurove tek diaspora jonë. Këto letra me vlerë do të kenë një maturitet afatgjatë dhe do të ofrojnë kushte dukshëm më të volitshme për kursimet e diasporës. Përmes kësaj mase, diaspora do të avancohet në bashkëpronare të procesit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit”. shkruan ajo, transmeton Indeksonline.

Gashi tutje ka thënë se për udhëtarët që shfrytëzojnë transportin ajror, do të ofrohen incentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës./