As kësaj radhe, kryetari e as zyrtarët për informim në komunën e Podujevës nuk i kanë ftuar gazetarët në vizitat zyrtare të zyrtarëve komunal, shkruan Llapi.info.

Megjithatë, zyra për informim në komunën e Podujevës përmes një komunikate ka njoftuar se sot, Veliu me rastin e 5 Majit – Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te komplekset memoriale dhe varrezat e dëshmorëve llapjanë, të rënë në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës.

“Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me një delegacion të Komunës, për nder të 5 Majit – Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve, vizituan Kompleksin Memorial të Heroit të Kosovës Zahir Pajaziti në Orllan, Kompleksin Memorial “Baza e parë e UÇK-së” në fshatin Lladoc dhe varret e dëshmorëve të tjerë llapjanë, ku bënë homazhe dhe vendosën lule”, thuhet në komunikatë.

“Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e të gjitha kohërave janë dëshmia dhe zotimi për të duhurën dhe të vullnetshmen. Liria është aura dritëplotë e veprës së tyre sipërore”, ka thënë Veliu, me rastin e homazheve në Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve.

Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe të Rënëve delegacione nga Komuna e Podujevës kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule edhe te varret e dëshmorëve dhe të rënëve të tjerë, të rënë në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës.