Tre vëllezër, Behar, Atdhe dhe Shkodran Murturi janë arrestuar nën dyshimin për tentim-vrasjen e imamit të xhamisë së fshatit Lup të Podujevës, Zeqir Berisha.

Ata dyshohet se e plagosën rëndë imamin Berisha të enjten në mbrëmje, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ka thënë sot se imami Berisha po merr trajtim mjekësor në spital.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i poshtëm të Podujevës, është gjetë një person i lënduar rëndë. Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.

Personat e arrestuar, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndaj tyre është iniciuar rasti vrasje në tentativë”, ka njoftuar zëdhënësja e policisë.

Imami i xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të rënda që ka pranuar nga një sulm fizik të enjten në mbrëmje.

Imami Berisha është rrahur në xhaminë ku ushtron detyrën e tij në fshatin Lupç.