Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me atë të Shqipërisë Ilir Meta kanë vizituar vendet që i goditi tërmeti në Durrës.
Dy presidentët thanë se i kanë vu në dispozicion institucionet shtetërore për të përballuar tragjedinë që la pas tërmeti, njofton Klan Kosova.
Thaçi duke shprehur ngushëllime për viktimat tha se Shqipëria nuk është e vetme në këtë betejë të fatkeqësisë natyrore, por se ka Kosovën.
“Dëshiroj që në emër të institucioneve të Kosovës t’i shpreh ngushëllime presidentit Meta, institucioneve të Shqipërisë, popullit shqiptar për këtë fatkeqësi natyrore dhe për viktimat. Shprehim solidaritetin e Kosovës në këtë angazhim të përbashkët, në këto ditë jo të lehta”.
“Kur Shqipëria ka dhimbje edhe Kosova ka dhimbje, kur Shqipëria ka zi edhe Kosova ka zi”.
Thaçi po ashtu ka falënderuar të gjithë kosovarët që i dolën në ndihmë vëllezërve të tyre, veçanërisht ushtarët, policët dhe ekipet e kërkimit që janë në Shqipëri.
“Dëshiroj t’i falënderoj burra dhe gra të ushtrisë së Kosovës dhe Policisë që kanë reaguar dhe janë gjendur pranë vëllezërve dhe motrave këtu në Durrës dhe kudo”.
“Shqipëria nuk është vetëm është bashkë me Kosovën dhe shtet partnere që janë këtu me tërë ekipet e tyre të specializuara. Ngushëllime të gjithë familjeve të viktimave, prandaj do të jemi të përkushtuar në koordinim me institucionet e Shqipërisë që të kalojmë më lehtë tërë këtë dhimbje”.
Thaçi tha se dyert e shtëpive kosovare janë të hapura për familjet që kanë nevojë për strehim.
“Kosova është pranë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj me gjithë potencialin e vet shtetëror dhe qytetar, jo vetëm në aspektin moral. Shqipëria ka bërë shumë për Kosovën në vitin 1999 kur çdo familje në Shqipëri kishte hapur dyert për familjet kosovare që u dëbuan nga shtëpitë e tyre në atë kohë. E njëjta vlen edhe sot për familjet shqiptare që kanë nevojë për strehim duke i pasë dyert e hapura në familjet kosovare”.
“Por besoj që institucionet e Shqipërisë dhe janë në krye të obligimeve, të angazhuar dhe të përkushtuar për strehimin e familjeve që kanë nevojë”.
“Sot takova ushtarët dhe policët e Kosovës që janë këtu. Gjithashtu takova edhe rumunë dhe përfaqësues të shteteve të tjera. Kjo fatkeqësi tejkalon kornizat etnike që është njerëzore dhe nuk është vetëm një solidaritet vetëm brenda shqiptarëve por shumë më i gjerë”.