Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Kazermën “Adem Jashari” kanë mbajtur manifestimin qendror, në shënimin e Ditës së Forcës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Presidenti Hashim Thaçi me këtë rast u shpreh FSK-ja ka nisur një kapitull të ri në historinë tonë, atë të paqes dhe sigurisë për të gjithë.

Ai tha se në këtë ditë nuk ka festë pas tërmetit në Shqipëri, duke shtuar se FSK-ja ka treguar profesionalizëm gjatë angazhimit në Shqipëri.

“Sot ky manifestim është i veçantë se nuk ka feste pas tragjedisë që ndodhi në Shqipëri. Dita e Forcës e gjen Kosovën në ditë zie nga tërmeti që mori dhjetëra jetë njerëzish dhe bota po solidarizohet me atë që ndodhi atje. Kjo festë shënohet edhe në jubile në ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari”.

“Këtu ju japim kuraje gjithë ushtarëve tanë që gjinden në Shqipëri dhe u them se jemi bashkë për njeri tjetrin. FSK-ja me gjithë efektivët e saj ka bërë punë të shkëlqyer, kryer me paanshmëri gjitha detyrat që iu është dhënë. Kudo që kanë qenë ushtarët e FSK-së kanë shkëlqyer me punë profesionale fal angazhimit të tyre”.

“Ushtria e Kosovës ka nisur këtë vit për tranzicionit dhe si komandant kam nënshkruar gjitha ligjet e nevojshme. Bërja e ushtrisë është amaneti i gjithë atyre që dhanë jetën për këtë vend”, tha ai.

“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem, sipas strukturës së re, i kam dekretuar gjeneralët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. E kam dekretuar stemën e re, dukjen e re të uniformave të ushtarëve tanë, emblemat e njësive dhe gradat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se me përkrahjen e partnerëve strategjikë, Forca e Sigurisë ka ndërtuar qendra të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme arsimore dhe trajnuese, sikurse është Qendra Trajnuese për Kërkim-Shpëtim, Qendra për Studime Universitare dhe shumë të tjera.

“Ndërsa, tash, në fazën finale të planifikimit të ndërtimit është edhe Qendra e Mirëmbajtjes së autoblindave amerikane, me të cilat jemi furnizuar, e që do të jetë qendër regjionale në shërbim të të gjitha vendeve të rajonit. Po ashtu, më vjen mirë që me rekrutimet e fundit në Forcën e Sigurisë është rritur ndjeshëm edhe numri i femrave dhe i pjesëtarëve të komuniteteve si ushtarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Si Komandant Suprem, presidenti Thaçi në fund u ka kërkuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që të punojnë edhe më shumë, të jenë edhe më të përkushtuar, sepse shumë shpejt do të jeni krah për krah me ushtri të shumta në misione të ndryshme botërore.