Termocentralet e Kosovës vazhdojnë të jenë ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë, thuhet në një raport të publikuar nga grupi i OJQ-ve mjedisore në Evropën Qendrore dhe Lindore, “Bankwatch Network”.
Në raportin e publikuar nga kjo organizatë thuhet se pesë vendet e Ballkanit Perëndimor: Serbia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë përmbushur standardet e Bashkimit Evropian për emetimet industriale.
Emetimet totale të dyoksidit të squfurit (SO2) nga këto pesë vende që synojnë integrimin në BE, në vitin 2018 ishin gjashtë herë më të larta se sa tavani për të cilin ishin zotuar.
Në rastin e Kosovës, e cila e siguron energjinë përmes thëngjillit, termocentrali Kosova B konsiderohet ndër ndotësit më të mëdhenj, ndonëse aty përmendet edhe termocentrali Kosova A, po ashtu.
“Në fakt Kosova B për shkak të mungesës së investimeve në vitet e fundit për sa i përket filtrave ka një emitim aq të lartë sa që në fakt ne arrijmë të përmbushim gjysmën e totalit të emetimeve të lejuara për të gjithë rajonin. Kjo na bënë të mendojmë se në fakt është koha e fundit që ne të bëjmë investime në këtë drejtim dhe fatmirësisht kemi një lajm tani qe përmes mbështetjes së BE-së, do të investohet në filtra në Kosovën B”, tha Learta Hollaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Në raport, Kosova kritikohet edhe për mos-monitorim të nivelit të ndotjes që prodhohet nga termocentralet.
Në rastin e Kosovës B, thuhet se pajisjet e vendosura në këtë termocentral kanë probleme të kalibrimit kështu që nuk janë krejtësisht funksionale.
Ministri në detyrë i mjedisit, Fatmir Matoshi, pranon se termocentralet e Kosovës kanë nevojë për investime shtesë, por beson se vendosja e filtrave në termocentralin Kosova B, do të ndikojë dukshëm në uljen e nivelit të ndotjes.
“Do të ndërrohen filtrat e Kosovës B, sepse fondet janë të aprovuara tani dhe projekti është në proces. E dyta, ne presim sa më shpejt që të mbyllet çështja e kontratës dhe e punës për termocentralin e ri dhe mbylljen e termocentralit Kosova A”, tha Matoshi.
Rrjeti i organizatave mjedisore i sugjeron Bashkimit Evropian vendosjen e një takse për dyoksidin e karbonit për Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinën, në mënyrë që ndotësit e mëdhenj të mos përdorin mungesën e investimeve si përparësi kur eksportojnë energji.
Matoshi: Kosova nuk heq dorë nga thëngjilli
Por, vet ministri në detyrë i mjedisit, Fatmir Matoshi, thotë se Kosova është shumë më e interesuar që t’i përmirësojë çështjet e brendshme mjedisit dhe energjisë sesa të merret me faktorin ndërkombëtar.
“Ne jemi të përjashtuar në secilin investim, në secilin fond që ndahet për rajonin dhe që e japin Kombet e Bashkuara. Do të thotë, nëse ata vazhdojnë të na shkelin ne nuk jemi duke u mërzitur shumë sa jemi duke shkelur direktiva për të tjerët. Për neve është interes që ta bëjmë një ajër më të mirë, ta bëjmë një përmirësim të gjendjes në Kosovë, por nuk është se jemi duke u mërzitur shumë me faktorin ndërkombëtar sepse janë ata që janë duke na përjashtuar neve”, tha Matoshi për Radio Evropa e Lirë.
Ministri Matoshi thotë se përkundër kritikave që vijnë nga organizata të ndryshme, Kosova do të vazhdojë të ketë politikë shtetërore prodhimin e energjisë nga thëngjilli.
Learta Hollaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se Kosova duhet që ta heq nga përdorimi termocentralin Kosova A për shkak të vjetërsisë së tij. Sipas saj mbyllja e këtij termocentrali nuk duhet të lidhet me ndërtimin e termocentralit të ri, të njohur si Kosova e Re.
“Është e papranueshme që të vazhdojnë ndikimin në mesin tonë një termocentral ai vjetruar që i tejkalon të gjitha standardet e mundshme dhe ta kushtëzojmë atë më ndërtimin e një termocentrali të ri. Kjo na bënë të mendojmë që duhet të marrim masa urgjente për rehabilitimin apo mbylljen e këtij termocentrali dhe të shohim për metoda alternative të prodhimit të energjisë”, tha Hollaj.
Vitet e fundit Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e poashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.
Në matjet që behën vazhdimisht, Kosova shpesh herë renditet ndër vendet më ajrin më të ndotur në botë. /rel/