Vëllai i mitur i tre të arrestuarve në Podujevë, që dyshohen për sulm ndaj imamit të fshatit Lupç, Zeqir Berisha, ka mohuar se vëllezërit e tij e kanë rrahur imamin.

Në një prononcim për T7, ai i ka thënë se ai dhe njëri prej vëllezërve të arrestuar kanë shkuar për ta falur namazin e jacisë, por kur kanë arritur te xhamia e fshatit e kanë gjetur imamin të shtrirë për toke e të gjakosur.

Ka deklaruar se menjëherë i ka thirrur Policinë dhe Emergjencën.

“Une me vllaun tem Atdheun ishum tuj shku në xhami për namazin e jacisë, aty ishim 1 minut përpara te xhamia që fillon ezani. Tu shku aty e pamë imamin e xhamisë të shtrimë në tokë përpara rrethojave të xhamisë, ishte i gjakosur edhe kokën e kishte të gjakosur, ishte i mbulum me gjak, pastaj unë e thirra policinë, 192. Më pas, Policia me orientoi me thirr 194 emergjencën pastaj e thirra edhe emergjencën edhe ju thash dërgone sa ma shpejtë ni njësi se është imami i xhamisë se Lupcit i lëndumë rëndë”, ka thënë 17-vjeçari.

Policia inicion rast për tentim-vrasje

Behar, Atdhe dhe Shkodran Murturi, nga Podujeva, janë arrestuar nën dyshimin për tentim-vrasjen e imamit të xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha.

Ata dyshohet se e plagosën rëndë imamin Berisha të enjten në mbrëmje, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ka thënë sot se imami Berisha po merr trajtim mjekësor në spital, raporton Paparaci.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i poshtëm të Podujevës, është gjetë një person i lënduar rëndë. Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.

Imami i xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të rënda që ka pranuar nga një sulm fizik të enjten në mbrëmje.

Imami Berisha është rrahur në xhaminë ku ushtron detyrën e tij në fshatin Lupç.