Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën Prishtinë – Podujevë, konkretisht në fshatin Siboc, raporton Llapi.info.

Rastin për Llapi.info e kanë konfirmuar zyrtarë policorë, por edhe nga Brigada e Zjarrfikësve në Podujevë.

Ndaj këtij rasti tragjik ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Të tronditur morëm lajmin për aksidentin tragjik në orët e hershme të mëngjesit ku humbën jetën dy persona. Në këto momente të dhimbjes dhe pikëllimit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, ndërsa të lënduarve iu uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar ai.

Dy personat e vdekur në këtë aksident, janë burrë dhe grua, 36 dhe 35 vjeç, derisa të lënduar rëndë mbetën dy fëmijët e viktimave, tre dhe pesëvjeçarë.

Siç ka mësuar portali, çifti që ka humbur jetën janë nga familja Sopaj e Komunës së Malishevës, ku të njëjtit po vinin nga Sllovenia./Llapi.info