Një status në Facebook rreth një gruaje mbipeshë nga ana e deputetit dhe profesorit universitar Ardian Kastrati ka ngjallur reagime të shumta. Në oborrin e rektoratit të UP’së nesër pritet të protestohet duke u kërkuar përjashtimi i Kastratit i cili në këtë universitet është profesor.

Protesta është paralajmëruar për në orën 11:00.
“Pas një konsultimi të aktivistëve, u vendos që nesër me fillim nga ora 11:00, në oborrin e rektoratit të UP-së mbahet protesta simbolike dhe tubimi përgatitor për fillimin e protestave me qëllim të ndërprerjes së gjuhës seksiste nga stafi akademik i UP-së, konkretisht përjashtimit të Ardian Kastratit nga UP ku ai është profesor. Seksizmi nuk do të financohet nga taksapaguesit”, shkroi Rron Gjinovci në Facebook, i cili udhëheq me ORCA, organizatë për rritjen e cilësisë në arsim.

Deputeti i PDK’së, Ardian Kastrati, ka cituar pjesë të një përshkrimi satirik të veprimtarit të çështjes shqiptare, Faik Konicës, në kohën sa po votohej Vjosa Osmani për presidente në Kuvend.