Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Nehat Thaçi, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë raportuar në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me gjendjen e institucioneve korrektuese në Kosovë.
Ministri i Drejtësisë tha se janë në prag të rekrutimit të 120 gardianëve të rinj.
“Qendrat korrektuese në përgjithësi kanë një gjendje të mirë dhe nuk ka situata të pamenaxhueshme. Jemi duke bërë një politikë që ta heqim ngarkesën nga qendra në Dubravë. Jemi në prag të hapjes së një qendre në Prishtinë dhe në Gjilan. Jemi në proces të rekrutimit të stafit të ri, ku pritet të punësohen 120 gardianë. Për këtë e kemi ndarë buxhetin si dhe të përfshirë janë edhe komunitetet”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, tha se qëllimi i tyre është që të burgosurve t’u japin programe rehabilituese në mënyrë që ata të mund t’i kthehen shoqërisë.
“Objektivi i ynë është që të burgosurit mos të kthehen në burgje. Ne shfrytëzojmë 17-18 milionë euro në vit, ndërkaq nuk fitojmë asgjë. Në kuadër të kësaj ne kemi hartuar projekte që janë të prekshme dhe po presim financimin e tyre. 80% të burgosurve tanë vijnë për herë të parë në burgje dhe ne duhet t’u ofrojmë programe rehabilituese në mënyrë që të jenë të gatshëm t’i qasen shoqërisë”, tha ai.
Ai shtoi se me këtë sistem nuk po edukohen të burgosurit por po u hakmerren atyre.
Ai foli edhe për burgun e Pejës, për të cilin tha se personat e sindikatës që kanë kërkuar objekt të ri nuk kanë qenë personat kompetentë dhe se nuk e përfaqësojnë Sindikatën e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se gjendja në qendrat korrektuese nuk është ashtu siç e paraqiti ministri dhe drejtori.
“Shërbimi korrektues ka shumë probleme dhe nuk është gjendja kështu siç po e paraqitni. Po filloj me Ligjin e sanksioneve penale. Të burgosurit me të drejtë e kërkojnë kthimin e pakos. Nuk është e ndaluar kontrabanda dhe nuk e ka zgjidhur problemin pakoja e ushqimit. Ushqimi që e hanë të burgosurit nuk është cilësor”, tha ajo duke shtuar se është një përqindje e vogël e njerëzve që e kryejnë burgun e pastaj rehabilitohen.
Kurse, anëtari i këtij komisioni, Frashër Krasniqi tha se burgjet në Kosovë nuk kanë as kushte minimale të mjekimit.
“Në qendrat e paraburgimit nuk u ofrohen as kushtet minimale të mjekimit. Ka trajtim të mangët në aspektin shëndetësor. Kjo bëhet formalisht, pa kurrfarë cilësie. Nuk ka kushte minimale as të pastërtisë e as të higjienës. Nuk ka selektim të të burgosurve sepse një i burgosur që është i dënuar për prerje drurësh është në të njëjtin pavion me një njeri që është dënuar për ndonjë krim. Po ashtu as nuk ka edukim në ato burgje”, tha ai.
Ai shtoi se personalisht kur ka qenë në burg nuk kanë pasur as pemë e as perime për të ngrënë.
Anëtari tjetër i këtij Komisioni, Shkumbin Demalijaj tha se kushtet nuk janë ashtu siç paraqiten.
“Ju drejtor nuk është mirë me pasë veten kështu në qejf sepse nuk është gjendja krejtësisht ashtu siç po e thoni. Unë mund të flas për gjendjen sa kam qenë në paraburgim, në Gjilan kanë qenë kushte të mira po edukim aty nuk ka. Librat janë të vjetruara”, tha Demaljiaj.
Kurse nënkryetari i këtij Komisioni, Hajdar Beqa tha se të burgosurit nuk janë të informuar për shtypin ditor dhe se duhet të bëhet brenda burgjeve ushqim më cilësor.