Shuarja e Task-forcës antikorrupsion nga Qeveria Hoti ka ngjalluar reagime të shumta, derisa përçarje të thella pati edhe nga vetë partnerët qeverisës, shkruan GazetaBlic.
Së fundi për këtë ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, i cili shuarjen e kësaj Task-force, e ka quajtur vendim të gabuar të qeverisë.
Njohësi i çështjeve juridike dhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për GazetaBlic ka deklaruar se shuarja e një Task-force të tillë nga Qeveria Hoti, sipas tij, është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.
“Pa hyrë ne detaje nëse Task Forca ka qenë e suksesshme ose jo, në një shtet normal nuk shuhen mekanizma të tillë pa një analizë përmbajtsore, konsultim me aktorët relevantë dhe shoqërinë civile. Për më tepër, vendime të tilla duhet të jenë në harmoni me politikat afatgjate lidhur me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, e që në rasti në konkret bien në kundërshtim me Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Pa dyshim se veprimi i Qeverisë është i ndërlidhur lidhur me një numër të madh të rasteve aktive kundër eksponentëve partiakë të LDK-së dhe AAK-së. Aty, përfshihen përfaqësues të lartë të LDK, përfshirë ministrin aktual të Punëve të Brendshme Veliu”, ka thënë Miftaraj.
Pas kësaj, Miftaraj e ka vlerësuar si jo të cuditshme nëse në Kosovë merret vendim që të shfuqizohet Prokuroria Speciale.
“Qeveria Hoti si duket me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale ka zgjedhur rrugën më të lehtë, shuarjen e kësaj Task Force. Me këtë logjike të mbrapshtë dhe të kundër ligjshme, nuk duhet të çuditemi nëse një ditë Kuvendi i Kosovës shfuqizon ligjin për Prokurorinë Speciale dhe shpërbërjen e Prokurorisë Speciale me argumentet e njëjta se kjo Prokurori kur është themeluar ka funksionuar në fillim nën UNMIK e pastaj nën menaxhimin dhe administrimin e EULEX. Reagimet ndërkombëtare, por edhe të IKD dhe shoqërisë civile nuk është se merren shumë parasysh nga një kryeministër ose qeveri, që qëllim parësor ka ndërtimin e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe jo sundimin e ligjit”, thotë ai.
Kujtojmë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti janë përplasur ditë më parë në distancë me reagime kundër njëri-tjetrit sa i përket shuarjes së Task-Forcës Antikorrupsion.
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, doli kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e kësaj Task-force, gjë kjo që ngjalli reagime të ashpëra me të parin e ekzekutivit.