Mbi një miliard e njëqind milionë euro pritet t’i kushtojë buxhetit të vendit Autostrada e Dukagjinit, e cila po vazhdon të kundërshtohet madje edhe nga ish-ministra të kabinetit qeveritar, të cilët kanë iniciuar projektin dhe po këmbëngulin për realizimin e tij.

Nisja e realizimit të Autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren ka ngecur për shkak të mosmiratimit të buxhetit. Vlerësohet se kostoja e këtij projekti është jashtë çdo norme.

Autostrada e Dukagjinit, e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të vendit mbi 1 miliard e njëqind milionë euro, së fundmi ka shtuar reagimet në vend, për shkak të kostos enorme të saj dhe të implikimeve potenciale buxhetore që do t’i ketë ajo. Sipas zyrtarëve nga Qeveria, megjithëse janë të nevojshme investimet infrastrukturore, çmimi i ndërtimit të kësaj autostrade është mjaft i lartë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ishte Bedri Hamza ai i cili para disa ditësh në një emision televiziv pohoi se ky projekt nuk ka studim profesional të qëndrueshmërisë. Ish-ministri, i cili para dy ditësh zyrtarisht mori postin e deputetit, kontestoi dizajnin dhe konstruksionet financiare të ndara për këtë autostradë.