Në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë edhe 274 pjesëtare femra, të cilat mbajnë të veshur uniformën dhe përballen me sfidat dhe situatat e veçanta që kërkon misioni i kësaj force.

Interesimi i grave për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shënuar rritje gjatë viteve të fundit.

Halime Morina, shefe e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se që nga viti 2009 deri në vitin 2015, FSK-ja ka vazhduar me procesin e rekrutimit, me ç’rast në vitin 2018 është vërejtur një rritje e interesimit nga ana e grave për 3 për qind për t’iu bashkuar FSK-së.

“Në vitin 2015 është përmbyllur fushata e rekrutimit për pjesëtaret aktive në Forcën e Sigurisë së Kosovës, bazuar në statistikat e departamentit të personelit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga viti 2009 deri në vitin 2018, numri i grave dhe vajzave është rritur dukshëm nga 3% sa ishte në vitin 2009, në rreth 9% në vitin 2018”, tha Morina.

Sipas Morinës, gratë që shërbejnë në FSK mbajnë grada të ndryshme, por më e larta është grada gjeneral brigade.