“Sot, 22 vite e gjysmë pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami.
Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e shtetërore të Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë”, tha kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e rivarrimit për viktimat e masakrës së Rezallës.
Ai tha se e vërteta nuk mund të groposet dhe mbulohet në varreza masive, njofton Klankosova.tv.
“Këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi e dimë që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”.
Sot u rivarrosën Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Hetem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë.
Bashkë me ta u rivarrosën një pjesë e eshtrave të mbetur të Vesel Deliut dhe Behram Rukollit nga varreza masive në Kizhevak, pasi një pjesë e eshtrave të tyre u patën gjetur vite më parë në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi
Riatdhesimi i mbetjeve mortore të nëntë viktimave u realizua më 30 shtator 2021 nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim dhe me përkrahjen e familjeve të viktimave, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.






