Pas arrestimit të pesë zyrtarëve të saj mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit, ka reaguar Ministria e Infrastrukturës.
Në reagimin e Ministrisë thuhet se organet e drejtësisë duhet të trajtojnë këtë rast deri në fund.
Përmes këtij reagimi thuhet se kjo Ministri është e vendosur për transparencë në çdo proces.
“Pas njoftimit për arrestimin e pesë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ritheksojmë vendosmërinë e Ministrit Pal Lekaj për transparencë të plotë në çdo proces, veçanërisht pajisjen me patentë shofer”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Ministri Lekaj, në çdo paraqitje publike, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante që të mbikëqyrin segmentin e patentë shoferëve, si njërin nga dikasteret më të rëndësishëm për sigurinë në trafikun rrugor, shton Ministria.
“Prandaj u bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë rastin në fjalë deri në fund, sepse askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në reagim.