Javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit ku u diskutua edhe për Kosovën, foli edhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Ai gjatë fjalimit të tij është ankuar edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e rastit, shkruan lajmi.net.

“Janë bërë afër një vit nga vrasja e Ivanoviqit dhe nuk është arritur ende asgjë në zbardhjen e rastit”, kishte thënë Daçiq gjatë fjalës së tij.

Mirëpo sot, Policia e Kosovës ka marrë një aksion në veri të Kosovës ku janë arrestuar 4 persona të dyshuar se kanë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

E sot, zyrtarët serbë kanë reaguar menjëherë pas arrestimit të këtyre personave, duke i quajtur provokime dhe kanë kërkuar reagim të Bashkimit Evropian.

Pra, hipokrizia e zyrtarëve serb qëndron se para një jave ministri i jashtëm serb ankohej se nuk është bërë asgjë në zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit, ndërsa sot aksionin për arrestimin e të dyshuarve e kanë quajtur provokim dhe kanë kërkuar që të arrestuarit të lirohen.

Në lidhje me këtë gjë ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e cila është shprehur se zyrtarët serbë nuk dështojnë asnjëherë ta surprizojnë me qëndrimet e tyre.

Ajo nëpërmjet një postimi në ‘Twitter’ ka reaguar ndaj këtyre qëndrimeve të liderëve serbë:

“Zyrtarët serbë asnjëherë nuk dështojnë të më surprizojnë. Vetëm para një jave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ata u ankuan se Kosova nuk është duke bërë mjaftueshëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e Ivanoviqit. Sot, kur Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarit, ata kërkojnë të lirohen!”, ka shkruar Çitaku në Twitter.