Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Postës dhe Telekomit të Kosovës në rastin gjyqësor me kompaninë gjermane të investimeve “AXOS”.

Klan Kosova merr vesh ekzkluzivisht se vendimi lidhur me këtë kontest gjyqësor do të bëhet publik më 4 maj të këtij viti.

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës kishte nisur në vitin 2010. Por tri vite më vonë, në prillin e vitit 2013, ACP Axos Capital GmbH ishte shpallur fituese me ofertën prej 277 milionë eurosh për blerjen e 75% të aksioneve në “Vala” e Telekom.

Por privatizimi i kompanisë së telekomunikacionit nuk ndodhi, njofton Klan Kosova.

Kuvendi i Kosovës nuk ia dha “dritën jeshile” raportit të qeverisë për shitjen e PTK-së pasi ishte opozita ajo që e kundërshtonte fort këtë proces duke bojkotuar disa herë edhe seancat.

Madje, opozita kërcënoi se nuk do ta votonin edhe buxhetin për atë vit (2014) pas tentimit të qeverisë që me këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Kur qeveria e anuloi privatizimin, kompania “Axos” e paditi qeverinë e Kosovës pasi sipas tyre, Qeveria e Kosovës e ka prishur njëanshëm marrëveshjen për privatizimin e PTK-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik që ishte në atë qeverisje, Fadil Ismajli, deklaroi se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë “Axos”.

“Axos” më 4 qershor 2015 e paditi Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJNA).

Qeveria e Kosovës më 2 shtator të po këtij viti ndau 200 mijë euro për mbrojtje ligjore. Kompania “Patton Boggs” ishte përfaqësuesja e saj ligjore për zgjidhjen e këtij kontesti.