Një rast i vrasjes në tentativë është raportuar të dielën në Podujevë, ku një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër, por pa arritur ta qëllojë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 14:00. Pas raportimit për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur viktimën.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë si provë materiale. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia ka kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.





