Përmes një kumtese ka njoftuar për arrestimet e sotme në Mitrovicë të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Ky është teksti i kumtesës:

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.

Në këtë operacion janë arrestuar katër (4) persona, tre (3) prej tyre që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ,,Vrasje e rëndë”, kurse një (1) person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë;

N.S. (Nedelko Spasojeviq), viti i lindjes 1976, M/S/K, njëherit zyrtar policor në veri të Mitrovicës.

M.R. (Marko Rashiq) viti i lindjes 1993, M/S/K;

D.M. (Dragisha Markoviq) viti i lindjes 1970, M/S/K, po ashtu zyrtar policor në Veri të Mitrovicës.

A.C. viti i lindjes 1965, M/S/K;

Ndërsa personi i cili ende mbetet në kërkim policor, pasi nuk është gjetur në lokacionin e tij është;

M.R. (Milan Radojiçiq) viti i lindjes 1978 po ashtu M/S/K;

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.

Të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth rastit dhe personave të arrestuar, do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorin kompetent të rastit.